Posts Tagged ‘Të gjitha kurat për rënien e flokëve’

Të gjitha kurat për rënien e flokëve

Disa mbeten pa flokë pa mbushur ende të 30-at dhe disa të tjerë plaken pa u rënë asnjë fije. Po përse ndodh kjo dhe si mund ta parandalosh një rënie të parakohshme të flokëve (apolecia)? Mjekësia alternative i hedh sytë nga përzierjet e ndryshme të bimëve dhe sugjeron mjaft kura që mund të krijohen dhe të aplikohen fare lehtë edhe në kushte shtëpiake dhe pa ndonjë kosto të lartë. Mjafton të ndiqen këshillat e mjekut dhe rezultatet nuk do të mungojnë të duken.
Rënia e flokëve
Rënia e flokut është fenomen i përhapur në të gjithë botën dhe shkaku kryesor nuk dihet, por shumë sëmundje influencojnë në rënien e flokëve, siç është: stresi, mungesa e një grupi vitaminash që nuk gjenden në ushqimet e përditshme, dhimbja e vazhdueshme e kokës dhe shkaqe të tjera ende të panjohura, infeksionet e brendshme ende të pazbuluara, mungesa e zinkut në organizëm, kur nuk bëhet mirë thithja e zorrëve, etj. Megjithatë, ka dhe disa shkaqe të tjera që lidhen me disa sëmundje siç janë: tifo, tuberkulozi, çrregullime hormonale, sëmundjet nervore, çrregullime në stomak, në zorrë, sëmundje të lëkurës etj. Por jo vetëm këto. Shkaqe të tjera që mund të shkaktojnë rënien e hershme të flokëve mund të jenë edhe trashëgimia, seksi, përdorimi i kapeles, mungesa dhe gabimet në mirëmbajtjen e flokëve. Në gjendje normale flokët mund të fillojnë të bien në moshën 50 vjeç, e nuk zëvendësohen. Kurse alopecia është një sëmundje flokësh, që shfaqet në formë vatrash të rrumbullakëta ose vezake në kokë apo në fytyrë në formë harte. Gjithashtu, ata shfaqen edhe në mjekër, krejt pa qime, koka bëhet e lëmuar, e bardhë dhe pa cikatrice. Shpesh herë vatrat bashkohen me njëra-tjetrën. Ka disa mjekime popullore që ndihmojnë shumë për këto sëmundje që përmendëm më lart.
Kurat popullore
Për patologjinë e rënies së flokëve ka shumë alternative mjekimi që mund të aplikohen. Një ndër më efikaset renditet ajo me hithër. Merrni 10 lugë gjellë me rrënjë hithre e 10 lugë gjelle më majat e saj, që hidhen në 2 litra ujë dhe ziejnë për 30-50 minuta. Pasi vaket dhe kullohet, lahet koka 2 herë në javë. Gjithashtu, një tjetër kurë është ajo që krijohet me 300 gramë palcë të kockës së kaut, 300 gramë vaj parafine. I futni në një tenxhere të vogël dhe këtë tenxhere e futni në një tenxhere më të madhe të mbushur me ujë të valuar në zjarr, në mënyrë që ato që keni futur në një tenxhere të vogël, mos të bien në kontakt me nxehtësinë e pllakës së sobës, por në kontakt vetëm me ujin e nxehtë, në mënyrë që brenda tenxheres së vogël të formohet një pomadë duke pasur kontakt vetëm me nxehtësinë e valës. Me këtë masë të krijuar lyeni kokën çdo darkë për 1 muaj rresht, dhe që brenda këtij muaji do të shikoni rezultatet, pasi do të fillojnë t’ju dalin flokët në vendet që kanë rënë apo rralluar. Gjithashtu, ju mund të aplikoni edhe një tjetër metodë. Merrni 2 kokrra qepe të grira imët. Hidhen në gjysmë litri raki rrushi. Shishja e mbyllur lihet 14 ditë në një vend të ngrohtë. Kullohet dhe me lëngun e qepës fërkohet koka çdo mbrëmje. Edhe shelgu i bardhë ka dhënë rezultate të mira në forcimin e rrënjës së flokut. Shelgut të bardhë i pritet vetëm lëkura; pra 5 lugë gjelle 250 ml alkool 76º. Lihet 8-10 ditë. Kullohet dhe me këtë i bëhet masazh lëkurës së kokës. Gjithashtu, për të parandaluar rënien e flokut mund të merrni edhe një lugë gjelle me barut të zi model tip 2. Përzieni me 1 lugë gjelle me hudhra të shtypura dhe pak pluhur tulle ose tjegull të kuqe. Kjo shërben për fërkim dhe ngacmim në lëkurë, që gjatë fërkimit dhe masazhit të ndihmojë dhe të nxisë daljen e flokut. Kjo bëhet 1-2 muaj, derisa të dalin flokët. Një tjetër kurë që mund të përdoret nga ata që vuajnë nga apolecia është ajo me hudhra dhe me mjaltë. Për lyerjen e kokës merrni 10 thelpinj hudhre dhe i shtypni shumë. Këto hudhra i përzieni me 2 lugë mjaltë të freskët. Të dyja këto lëndë i rrihni bashkë deri sa të marrin formën e një kremi mjekimi. Vazhdohet deri në shërim. Gjithashtu, edhe selvia është përdorur prej kohësh për forcimin e rrënjëve të flokëve. Merrni 5-6 kokrra të selvisë, copëtojini dhe ziejini në 500 ml ujë për 25-30min. Pasi kullohet, lyhet koka me këtë çdo darkë, duke bërë masazh dhe fërkim për 1-2 muaj rresht. Unë kam përgatitur një ilaç të ri me alkoolaturë për forcimin e rrënjës së flokut, eliminimin e zbokthit, dhe të yndyrës, duke i bërë masazh kokës çdo darkë për 10 min.